Turqia e ka quajtur operacionin e Izraelit për lirimin e robërve të tij një sulm barbar me të paktën 226 palestinezë të vrarë.
“Me këtë sulm të fundit barbar, Izraeli ka shtuar një të ri në listën e krimeve të luftës që ka kryer në Gaza”,- tha Ministria e Jashtme në Ankara, shkruan Al Jazeera.
Gjatë operacionit të ushtrisë izraelite për lirimin e katër robërve, kampi i refugjatëve Nuseirat u vu nën sulme të rënda ajrore dhe zjarr artilerie, duke çuar në viktima dhe plagosje masive.
Ushtria izraelite tha se po verifikonte raportet dhe zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se kishte më pak se 100 viktima.
Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë 283 persona dhe kanë plagosur 814 vetëm në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Shumica dërrmuese e atyre viktimave, 274 të vrarë dhe 698 të plagosur u shkaktuan nga operacioni i Izraelit në Nuseirat, thuhet nw njoftimin e ministrisw.
Po sipas ministrisë, viktimat e fundit e sjellin numrin e përgjithshëm të vdekjeve të Gazës që nga 7 tetori në 37,084 të vrarë dhe 84,494 të plagosur.
Ndërkohë, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani ka thënë se lufta e Izraelit ndaj Gazës përfaqëson një pikë kthese në historinë e Lindjes së Mesme dhe botës.
Kryediplomati i vendit ndërmjetës në konflikt i bëri këto komente gjatë një takimi të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
“Ne jemi ende duke pritur që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë luftën. Shteti i Katarit ka punuar që nga tetori i kaluar së bashku me partnerët e tij rajonalë dhe ndërkombëtarë për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe për të zgjidhur krizën për të parandaluar hapjen e fronteve të tjera në rajon”,- ka përfunduar Al Thani.