Volker Turk, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit ka ngritur alarmin për situatën e rënduar në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Ai përshkroi situatën si "tragjike" dhe theksoi përshkallëzimin e dhunës në të gjitha territoret palestineze, përfshirë Jerusalemin Lindor.
Turk gjithashtu theksoi situatën humanitare në Gaza, duke e cilësuar atë si “katastrofike,” dhe duke u shprehur i “zemëruar nga numri i paimagjinueshëm i vuajtjeve njerëzore”. Miliona palestinezë janë në rrezik të urisë, mungesës së furnizimeve mjekësore dhe energjisë, ndërsa bombardimet dhe bllokada kanë rënduar jetesën në enklavën e Gazës.
Komisioneri bëri thirrje për një përfundim të menjëhershëm të konfliktit në Gaza dhe përpjekje të përbashkëta për të shmangur një konflikt më të gjerë rajonal, duke e quajtur këtë "prioritet absolut dhe urgjent".
Ai nënvizoi nevojën për zgjidhje politike dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të arritur një paqe të qëndrueshme. Adresimi i Turk vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje.