
Një ndërprerje e pazakontë e energjisë elektrike goditi Spanjën dhe Portugalinë dhe një pjesë të Francës jugore ditën e sotme duke lënë miliona njerëz në “terr”.
Ndërkohë që shërbimi po rikthehet gradualisht në një pjesë të Spanjës, istemet e transportit, shëndetit dhe telekomunikacionit në Evropë po përballen ende me pasoja, ndërsa po punohet itensivisht për sqarimin e plotë të shkaqeve që shkaktuan këtë “blackout”.
Ende nuk ka konfirmim për origjinën e ndërprerjes masive të energjisë elektrike në disa vende evropiane , por në orët e fundit ka filluar të forcohet, sipas informacionit zyrtar të mbledhur deri më tani, se një çrregullim i rëndë në rrjetet e tensionit të lartë ishte shkaku kryesor i ndërprerjes së energjisë elektrike.
Në shqyrtim janë disa hipoteza, ndërsa një dyshim i fortë është dhe goditja nga një fenonem i pazakontë atmosferik, por ende nuk ka diçka zyrtare se për çfarë bëhet fjalë.
Massimo Maoret, profesor i menaxhimit strategjik në Shkollën e Biznesit IESE në Madrid, tha për The Times se “rrjeti spanjoll është një nga më të zhvilluarit dhe më të besueshëm në botë, kështu që kjo ndërprerje e përgjithshme duhet të ketë ndodhur për shkak të diçkaje të jashtëzakonshme. Nëse po, do të jetë interesante të kuptojmë nëse kjo ngjarje unike mund të lidhet me ndryshimin e klimës dhe në këtë kuptim mund të bëhet më e shpeshtë”.
Ai shtoi: “Po lexoj se ndërprerja mund të lidhet me goditjen e erës te kabllot e transmetimit me tension të lartë – nuk jam i sigurt nëse ky është shkaku, por më pas ndoshta duke ecur përpara ne duhet të mendojmë për lëvizjen e këtyre nëntokës, që priret të jetë mjaft e shtrenjtë. Por përsëri, mendoj se në këtë fazë është spekulim i pastër, askush nuk e di me të vërtetë.”
Sakaq, një reagim të menjëhershëm ka bërë dhe kryeministri portugez Luis Montenegro teksa u shpreh se “nuk ka kohë për të humbur” dhe se autoritetet janë duke punuar itensivisht për normalizimin e situatës.
“Ne po punojmë së bashku për t’iu përgjigjur shpejt ndërprerjes së energjisë që po prek ende vendin. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me forcat e sigurisë, mbrojtjen civile, forcat e armatosura, spitalet dhe kompanitë e furnizimit me karburant për të siguruar kapacitetin e reagimit në infrastrukturën thelbësore dhe mbështetjen për ata në nevojë,” shkroi ai.