
Pavarësisht temperaturave të ulëta, siguria rreth Shtëpisë së Bardhë është rritur, me snajperë të pozicionuar në çati në pikat më strategjike përreth perimetrit.
Pamjet e postuara së fundmi nga Protothema, pasqyrojnë një pamje sa më të saktë të asaj çfarë është duke ndodhur në Uashington një ditë para inagurimit të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në foto shihen snajperistët të trajnuar dhe të vendosur mbi tarraca, ndërkohë dronët e teknologjisë së fundit janë lëshuar për të monitoruar çdo lëvizje.
Në fotot e mëposhtme shihni snajperat të vendosur në një çati pranë zonës së Hotel Uashingtonit, vetëm pak metra nga Statuja e Alexander Hamilton dhe Dhoma e Thesarit, në zemër të Uashingtonit . Ky vend, për shkak të afërsisë me Shtëpinë e Bardhë, është një pikë kyçe vëzhgimi, duke ofruar pamje të qartë në të gjitha drejtimet.

Në foto dhe video shihen dy snajpera në një çati, të përshtatur me kushtet e vështira të të ftohtit. Njëri mban një sistem elektronik, ndoshta një kontrollues droni ose pajisje gjurmuese, ndërsa i dyti është i pajisur me kufje, me sa duket për t'u koordinuar me pjesën tjetër të ekipit.
Të dy mbajnë veshur veshje dimërore ushtarake dhe rripa të posaçëm me qese për pajisjet e tyre. Në sfond shihen ndërtesat klasike të zonës dhe flamuri amerikan që valëvitet.
Siguria pritet të jetë e lartë, veçanërisht pas sulmit të Donald Trump korrikun e kaluar, kur ai u qëllua në vesh gjatë fushatës në Butler të Pensilvanisë.
Rreth 48 kilometra, ose 30 milje, gardhe janë vendosur rreth Kapitolit. Me lartësi dy metra, gardhi është projektuar për të penguar ata që mund të ngjiten në barrierë.
Rreth 25,000 agjentë sigurie pritet gjithashtu të patrullojnë kryeqytetin, duke përfshirë 7,800 anëtarë të Gardës Kombëtare.
Autoritetet e qytetit në Uashington, DC, kanë thënë se do të ketë mbyllje të rrugëve pranë inaugurimit dhe mbajtësit e biletave do të duhet të kalojnë një kontroll sigurie përpara se të hyjnë në ndonjë ngjarje të lidhur.