Marian Robinson, nëna e ish-zonjës së parë Michelle Obama, është ndarë nga jeta këtë të shtunë. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga familjet Obama dhe Robinson përmes një deklarate.
Marian Robinson ka mbyllur sytë mëngjesin e kësaj të shtune në moshën 86-vjeçare.
“Si motër, hallë, kushërirë, fqinje dhe shoqe për kaq shumë njerëz, ajo ishte e dashur, jeta e të cilëve u përmirësua nga prania e saj. Ajo u nda nga jeta paqësisht këtë mëngjes dhe për momentin, askush nga ne nuk është plotësisht i sigurt se si do të vazhdojmë pa të”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Ndërkohë, Michelle Obama me “zemrën e thyer” tha se përgjatë gjithë jetës e kishte pranë dhe sa herë që kishte nevoja ajo ishte aty për të.
“Mamaja ime Marian Robinson ishte guri im, gjithmonë aty për çdo gjë që kisha nevojë. Ajo ishte mbështetje për të gjithë familjen tonë”, shkruan Michelle Obama në një postim në rrjetet sociale.
Robinson jetoi me familjen Obama gjatë gjithë kohës së tyre në Shtëpinë e Bardhë dhe shpesh u pa krah tyre dhe në ngjarjet më të rëndësishme. Ajo kaloi pjesën më të madhe të asaj kohe duke u kujdesur për dy mbesat e saj, Malia dhe Sasha, vajzat e Michelle dhe Barack Obama.