
Liderët e NATO-s së bashku me udhëheqësit e Bashkimit Europian, ranë dakort për të nisur patrullimin mbi detin Baltik, vendim ky i iniciuar nga inicidentet e fundit në atë perimetër, të cilat kanë sjellë destabilizimin në rajon. Dyshimet tregojnë se pas incidenteve të ndodhura në detin Baltik, qëndron flota hije e shtetit rus.
Në një takim në Helsinki më 14 janar, liderët nga tetë vende të Detit Baltik dhe udhëheqësi i aleancës ushtarake, Mark Rutte, njoftuan misionin Baltic Sentry që do të "dislokojë asete shtesë në det, në ajër, në tokë dhe nën sipërfaqen e deti për të rritur vigjilencën dhe parandalimin."
"Luftimi i thyerjes së kabllove dhe tubacioneve nënujore përfaqëson një problem global. Përdorimi i Rusisë i të ashtuquajturës flotë hije përbën një kërcënim të veçantë për sigurinë detare dhe mjedisore në rajonin e Detit Baltik dhe globalisht.
Kjo praktikë e dënueshme kërcënon gjithashtu integritetin e infrastrukturës nënujore, rrit rreziqet që lidhen me municionet kimike të hedhura në det dhe mbështet ndjeshëm financimin e luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, u tha në një deklaratë të përbashkët.
E gjitha nisi pas sabotimit të kabllos nënujore që lidh me energji Estoninë dhe Finlandën. Disa kabllo nënujore telekomunikacioni dhe energjie janë dëmtuar në Detin Baltik që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Ekspertët dhe politikanët kanë fajësuar anijet në "flotën hije" të Rusisë të cisternave të vjetra të naftës. Kremlini mohon çdo përfshirje.
Një ditë më parë, Rutte tha në Parlamentin Evropian se “veprime të tilla armiqësore” nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar, duke premtuar për forcim të pranisë ushtarake të NATO-s në rajon.