
Aleanca e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ka dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për përmbajtje në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.
Zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, përmes një postimi në “X” ka thënë se Aleanca po i monitoron nga afër zhvillimit dhe se është jetike që konflikti të mos dalë jashtë kontrollit.
“Ne dënojmë përshkallëzimin e situatës me Iranin brenda natës, bëjmë thirrje për përmbajtje dhe po i monitorojmë nga afër zhvillimet. Është jetike që konflikti në Lindjen e Mesme të mos dalë jashtë kontrollit”, shkruan ajo.
Irani nisi gjatë mbrëmjes së djeshme sulmin e drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, duke lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa.
Në një konferencë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari tha se 99% të raketave i kanë shpërthyer në ajër. Ai ndër të tjera u shpreh se sulmet gjatë natës erdhën nga Iraku dhe Jemeni.
E teksa sulmet nga Irani kanë pak orë që kanë nisur, presidenti i SHBA, Joe Biden ka telefonuar Netanyahun, duke i rikujtuar atij se Amerika qëndron e “hekurt” në krah të Izraelit.
"I thashë atij se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t'u mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë," tha Biden më herët.
Ndërkohë, në reagimin e parë pas sulmeve kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se arritën që të zbrapsin 99% të dronëve kamikazë që u lëshuan nga Irani.
“Ne i përgjuam, i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë," tha ai.