
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohen të dielën në Jerusalem për të diskutuar çështje rajonale dhe dypalëshe, konfirmuan burime greke për Reuters.
Sipas burimeve, axhenda e bisedimeve do të jetë e gjerë dhe do të përfshijë situatën në Lindjen e Mesme, luftën në Gaza dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky takim vjen pas takimit të tyre të fundit në Izrael në vitin 2023.
Greqia ka dënuar sulmin e 7 tetorit 2023 të Hamasit ndaj Izraelit, por ka bërë thirrje për ndalimin e luftës dhe respektimin e marrëveshjeve të armëpushimit. Fluksi i vazhdueshëm i ndihmave humanitare drejt Gazës mbetet një prioritet për Athinën, ndërsa Greqia ka pranuar fëmijë palestinezë për trajtim mjekësor në spitalet e saj.
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe projekti për ndërtimin e një kablloje energjie nënujore, e njohur si Great Sea Interconnector (GSI), që do të lidhë Evropën kontinentale me Mesdheun Lindor. Projekti, i zhvilluar nga operatori grek i rrjetit të energjisë IPTO, fillimisht do të lidhë Greqinë me Qipron dhe më pas do të shtrihet drejt Izraelit përmes Detit Mesdhe.
Greqia ka mohuar raportet e fundit të mediave që sugjeronin se ky projekt është bllokuar për shkak të vështirësive financiare dhe gjeopolitike, duke riafirmuar angazhimin e saj ndaj realizimit të tij.
Takimi i së dielës pritet të jetë vendimtar për forcimin e bashkëpunimit midis Greqisë dhe Izraelit, si dhe për stabilitetin rajonal.