
Rusia ka njoftuar se po planifikon të ndalojë luftimet në Ukrainë nga mesnata e 7-8 majit deri më 11 maj.
Sipas mediave të huaja, mësohet se armëpushimi do të përqendrohet në festimet e 80-vjetorit të Rusisë që shënojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Me një postim në platformën Telegram, Kremlini është shprehur se Rusia beson se dhe pala ukrainase duhet të ndjekë këtë shembull.
“Në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të japin një përgjigje adekuate dhe efektive.
Pala ruse deklaron edhe një herë gatishmërinë e saj për negociata paqësore pa parakushte, që synojnë eliminimin e shkaqeve rrënjësore të krizës ukrainase dhe ndërveprimin konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë”, shkruan Kremlini në Telegram.
Putin njoftoi më parë një armëpushim 30-orësh në Ukrainë gjatë fundjavës së Pashkëve, megjithëse Volodymyr Zelenskyy tha se trupat ruse e kishin shkelur armëpushimin gati 3 mijë herë.