Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

Mbi 60 zgjedhje të përgjithshme në mbarë botën, analiza e VOA: Videot e prodhuara me inteligjencën artificiale përhapin propagandë radikale

Shkruar nga Newsbomb
Mbi 60 zgjedhje të përgjithshme në mbarë botën, analiza
Foto ilustruese

Në një vit kur mbahen mbi 60 zgjedhje të përgjithshme në mbarë botën, janë shtuar shqetësimet se individë apo entitete që përdorin imazhe dhe regjistrime false, mund të kontribuojnë për ta fuqizuar më tej valën e dezinformimit.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Rio Tuasikal njofton rreth disa videove ndoshta të rrezikshme të prodhuara rishtazi nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale.

Anëtarë tashmë të vdekur të rrjetit terrorist Jemaah Islamiyah, një degë e al-Kaidas, shfaqen duke folur, falë inteligjencës artificiale.

Qindra njerëz vdesin nga bombat që bëra unë”, thuhet në videon e publikuar në rrjetin TikTok, nga Azahari Husin, një prodhues bombash malajzian. Ai pati ideuar disa sulme në Indonezi, përfshirë shpërthimet në vitin 2002 në ishullin turistik Bali, ku u vranë mbi 200 persona.

Që kur u publikua në vitin 2023, videoja ku pamjet e rreme të tij mburren për veprimtarinë e tij, kanë marrë mbi 120 mijë pëlqime.

Në një tjetër material fals shfaqet Noordin Mohammad Topi, i cili bëri sulmin vetëvrasës në dy hotele në Xhakarta në vitin 2009. Kjo video ka marrë 90 mijë pëlqime.

Nuurrianti Jalli, studiuese për dezinformimin, thotë se këto video përdoren si mjete rekrutimi.

Pra, përdorin këta ekstremistë që shumë prej nesh e dinë se tashmë kanë vdekur, por shumë ndoshta jo. Kjo mund të krijojë një lloj ndikimi psikologjik tek audienca. Duan të dinë më shumë për ngjarjen dhe të eksplorojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht, ose duan të ndiejnë simpati për ekstremistët”, thotë zonja Jalli.

Përdorimi i mediave sociale për të përhapur propagandën ekstremiste nuk është asgjë e re. Gjatë zgjerimit në Irak dhe Siri, grupi Shteti Islamik përdori rrjetin YouTube dhe aplikacionet e mesazheve për të rekrutuar dhe përhapur mesazhin e tij.

Për të luftuar përhapjen e dezinformimit dhe propagandën radikalizuese, Ministria e Informacionit e Indonezisë miratoi në vitin 2008 Ligjin e Transaksioneve Elektronike, që e bëri vepër penale dezinformimin.

Qeveria indoneziane thotë se ka hequr nga rrjeti mbi 5,731 postime që ajo tha se përmbanin elemente të “terrorizmit dhe radikalizmit”, në periudhën midis qershorit 2023 dhe marsit 2024.

Por ligjet si ai i Indonezisë mund të kenë pasoja për lirinë e shprehjes, thotë Zachery Lampell, këshilltar ligjor në Qendrën Ndërkombëtare Jofitimprurëse për Legjislacionin.

Disa raportues të posaçëm nga OKB-ja dhe organizma të tjera rajonale kanë deklaruar shumë qartë se një ligj kundër lajmeve të rreme që ndalon përhapjen e informacionit të rremë, nuk përputhet me detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Shkel lirinë e shprehjes”, thotë ai.

Zoti Lampell thotë se autoritetet duhet të kufizojnë teknologjinë, jo fjalën. Ai thotë se një ligj i Kalifornisë për përdorimin e aplikacioneve automatike (bots) që mund të veprojnë me tipare njerëzore – është një model i mirë.

Kjo i ndalon njerëzit dhe organizatat që t’i përdorin këto aplikacione për qëllime keqdashëse. Pra, nëse po përpiqeni të frenoni përhapjen e dezinformatave, nuk dëshironi që aplikacionet automatike të mund ta përhapin atë mesazh gjerësisht”, thotë zoti Lampell.

Por edhe me ligje të reja dhe kufizuese, thonë ekspertë si zoti Lampell, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ndalohet fluksi i informacionit të keq që vjen nga aktorë të këqij.

Do të përmbytemi vazhdimisht me gjithnjë e më shumë dezinformata, dezinformata dhe informacione të këqija”, thotë ai.

Dhe qeveritë do të duhet të gjejnë mënyra novatore për ta përballuar këtë. /VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese