Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer një numër sulmesh ajrore në pjesë të ndryshme të Sirisë ku ndodhen objektet ushtarake, ndërsa trupat tokësore izraelite janë dislokuar në zonën kufitare të çarmatosur në lartësinë Golan. Ndërkohë, ministri izraelit i mbrojtjes ka konfirmuar shtatërrimin e flotës detare siriane nga forcat izraelite gjatë mbrëmjes së të hënës.
“Marina izraelite operoi mbrëmë (11 dhjetor) për të shkatërruar flotën siriane duke rezultuar me suskes të madh”, tha ministri i Mbrojtjes, Katz.
Ndërkohë ushtria izraelite gjatë fundjavës nisi dërgimin e disa trupave ushtarakë në një zonë të çmilitarizuar mes Izraelit dhe Sirisë, zonë kjo e krijuar si pjesë e një armëpushimi të vitit 1974 midis dy vendeve. Këto masa janë ndërmarrë nga shteti izraelit me idenë e ruajtjes së sigurisë për territorin e tyre.
Izraeli ka thënë gjithashtu se avionët e tij luftarakë po godasin vende të dyshuara për armë kimike dhe armë të rënda për të parandaluar që ato të bien në duart e ekstremistëve sirianë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se Izraeli ka kryer më shumë se 300 sulme ajrore në të gjithë vendin që kur rebelët përmbysën Assadin.
Mediat izraelite, ndërkohë, raportuan se forcat ajrore po shkatërronin në mënyrë metodike asetet ushtarake të Sirisë për të siguruar që kushdo që do të sundojë vendin më pas do të duhej t'i rindërtonte ato.
Operacionet "kanë shkatërruar në mënyrë sistematike gjithçka që mbetet nga ushtria e tiranit të arratisur", shkroi Yossi Yehoshua, korrespondenti ushtarak për të përditshmen më të madhe të Izraelit, Yediot Ahronot.
“Dhjetëra e dhjetëra objektiva, duke përfshirë depo armësh të llojeve të ndryshme, janë goditur në valë sulmesh për të parandaluar që ato të bien në duart armiqësore dhe të paraqesin një kërcënim për Izraelin.” Forcat ajrore “aktualisht gëzojnë liri të plotë veprimi. ”, shtoi ai.