Hapësire reklamuese

Bota

Mbi 200 palestinezë të vrarë gjatë operacionit izraelit për lirimin e 4 pengjeve

Shkruar nga Newsbomb
Mbi 200 palestinezë të vrarë gjatë operacionit izraelit
Palestinezët e zhvendosur nga bombardimet izraelite të Gazës kanë ngritur kampin në Rafah (AP Photo/Hatem Ali)

Gjatë një sulmi në Gazë të shtunën, forcat izraelite shpëtuan katër persona, që mbaheshin peng nga Hamasi që nga tetori. Zyrtarët palestinezë thanë se gjatë sulmit të së shtunës u vranë 200 persona. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ky është një nga sulmet më të përgjakshme izraelite gjatë luftës tetë-mujore.

Operacioni i shpëtimit të pengjeve dhe sulme intensive ajrore u kryen në Al-Nuseirat të Gazës qendrore, një zonë me ndërtime të dendura.

Ndërkohë, agjencia Associated Press duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, njoftoi për vrasjen e të paktën 94 palestinezëve, mes tyre fëmijë, si pasojë e luftimeve të ashpra në Gazën Qendrore. Gazetarët e agjencisë Associated Press njoftuan se në spitalin Al-Aqsa ishin dërguar edhe rreth 100 të plagosur.

Mes të vdekurve ishte edhe një foshnjë. Të afërmit u panë të vajtonin para trupave të pajetë të fëmijëve, të mbuluar me gjak. Trupat u vendosën përtokë jashtë, spitalit, zbathur, ndërsa shumë të plagosur u panë të dërgoheshin me shpejtësi për ndihmë mjekësore.

Në operacionin më të madh për lirimin e pengjeve që kur nisi lufta kundër Hamasit në Gazë, ushtria izraelite tha se liroi Noa Argamanin, 25 vjeç, Almog Meir Janin, 21 vjeç, Andrey Kozlovin, 27 vjeç, si dhe Shlomi Zivin, 40 vjeç, në një operacion gjatë ditës në qendër të Al-Nuseiratit. Të gjithë ishin mirë, sipas njoftimit të ushtrisë. Ata u dërguan me helikopter për kontrolle mjekësore dhe ribashkim me të dashurit pasi u mbajtën peng 246 ditë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se luftimet do të vazhdojnë derisa të lirohen të gjithë pengjet. Një ekip amerikan i specializuar për lirimin e pengjeve ofroi mbështetje gjatë operacionit të shpëtimit, sipas një zyrtari të administratës amerikane, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte dhe kërkoi të mos identifikohej.

Ndërsa ofensiva e Izraelit në Gazë vazhdon me intensitet të plotë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikthehet në Lindjen e Mesme të dielën me shpresën për të bindur Izraelin dhe militantët e Hamasit që të pranojnë një marrëveshje armëpushimi të konceptuar për të ndalur luftimet, për të liruar pengjet dhe për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.

Udhëtimi tre-ditor i sekretarit Blinken do të përfshijë ndalesa në Egjipt, Izrael, Jordani dhe Katar./VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese