
Pas më shumë se 15 muaj luftë midis Izraelit dhe Hamasit më në fund u arrit një marrëveshje. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka reaguar i emocionuar për arritjen e marrëveshjes së rëndësishme për armëpushim mes Izraeli dhe Hamasit.
Biden theksoi se kjo marrëveshje është fryt i një fushate diplomatike amerikane “të qëndrueshme dhe të kujdesshme”, e cila është bërë me bashkëpunimin e Egjiptit, Katarit dhe palët e përfshira.
"Pas muajsh diplomacie intensive nga SHBA-të, Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim që do të hyjë në fuqi të dielën. Ky është një hap madhor drejt ndalimit të dhunës dhe çlirimit të pengjeve, duke i ribashkuar ato me familjet e tyre”, shprehet ai.
Presidenti rikujtoi se detajet e kësaj marrëveshjeje ishin skicuar që më 31 maj 2024 dhe kishin marrë mbështetjen unanime të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Marrëveshja, sipas tij, do të ndalojë luftimet në Gaza, do të lehtësojë ndjeshëm qasjen ndaj ndihmave humanitare për popullsinë civile palestineze dhe do të sigurojë kthimin e pengjeve pas më shumë se 15 muajsh robëri.
“Ky është një nga sukseset më të mëdha diplomatike të SHBA-ve,” shtoi Biden nga Shtëpia e Bardhë.
Teksa shprehu gjithashtu besimin e plotë se marrëveshja do të qëndrojë e qëndrueshme dhe do të hapë një kapitull të ri për stabilitetin në rajon.
Presidenti Biden, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë të hënën, theksoi se përfundimi i konfliktit dhe sigurimi i një armëpushimi të qëndrueshëm janë mes arritjeve më domethënëse të mandatit të tij.
“Palestinezët tani do të kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në të gjitha zonat e Gazës,” shtoi ai, duke i quajtur këto hapa si fillimin e një të ardhmeje më të ndritur për rajonin.
Gjatë kësaj konference Biden u pyet se kjo marrëveshje është e gjithë merita e tij, apo ka “gisht” edhe Donald Trump.
“Merita e Trump? Po bëjmë shaka?”, u përgjigj ai, duke mbrojtur përpjekjet e administratës së tij, por më tej theksoi se lidhur me këtë marrëveshje ekipi i tij kishte punuar dhe me ekipin e Trump.
"E dija që kjo marrëveshje do të duhej të zbatohej nga ekipi pasues, prandaj i thashë kabinetit tim të koordinohej ngushtë me ekipin që po vinte, për t’u siguruar që të gjithë të flisnim me të njëjtën zë," shtoi Biden.