
Hungaria do të marrë presidencën e radhës në Bashkimin Europian nga 1 Korriku, pas 6 muajsh të drejtuar nga Belgjika. Edhe pse vetë shteti ka probleme dhe përplasje me Brukselin për shkak të domokracisë së brendshme, Orban kryeministri i vendit ka deklaruar se fokusin do ta ketë tek emigracioni i jashtëligjshëm.
Sipas asaj që ka deklaruar vetë kryeministri Hungarez Viktor Orban për mediat gjermane, çështja e emigracionit pritet të kthehet në një prej temave kyçe gjatë drejtimit presidencës europiane.
Orban ka sjellë në vëmendje një politikë të zbatuar nga Hungaria, që aplikimet për azil të vlerësohen në shtetet e treta, e si shembull përmendi ambasadën hungareze në kryeqytetin serb Beograd, para se aplikuesve t’u jepet drita jeshile për të hyrë në territorin hungarez.
Në pritje për të marrë stafetën e Presidencës së Këshillit të BE, anëtarja rebele e Unionit Europian prezantoi këtë javë edhe një slogan zyrtar me të njëjtat nuanca si ato të presidentit Donald Trump, “Make Europe Great Again", ose “Ta bëjmë Europën sërish madhështore”.
Kryeministri ultranacionalist dhe populist i Hungarisë, Viktor Orban është njohur si një aleat i ngushtë i ish-presidentit amerikan Trump, dhe njëherazi si lideri më euroskeptik në Bashkimin Evropian.