
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka hequr mundësinë e dorëheqjes pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e parakohshme që ai thirri disa ditë më parë, pas fitores së thellë të së djathtës ekstreme në Paramenti Europian.
Në një intervistë për revistën franceze “Le Figaro”, Macron është shprehur se nuk do të dorëhiqet nga posti i tij, edhe nëse do të dalë humbës në këto zgjedhje.
Sipas Macron, partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National (RN) e Le Pen nuk mund të jetë ajo që përcakton kushtetutën dhe as frymën që ajo përfaqëson, ndërsa shtoi se institucionet dhe vendi i presidentit janë të qarta, paçka rezultatit përfundimtar.
"Nuk është RN ajo që shkruan kushtetutën, as fryma e saj. Institucionet janë të qarta, vendi i presidentit është i qartë dhe është gjithashtu i qartë cilido qoftë rezultati”,- tha Macron për Le Figaro Magazine kur u pyet se çfarë do të bënte nëse RN fitonte zgjedhjet parlamentare dhe bëri thirrje për dorëheqjen e tij.
Të martën pasdite, Eric Ciotti, kreu i partisë së djathtë franceze Les Républicains (LR) mbështeti një aleancë me Rassemblement National (RN) të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen .
"Unë dua që familja ime politike të lëvizë në këtë drejtim”,- tha Ciotti. Ai tha se kishte folur me Le Pen dhe liderin e RN-së, Jordan Bardella.
Macron thirri zgjedhjet e parakohshme pasi partia e ekstremit të djathtë, Rassemblement National, shtypi aleancën e tij centriste në votimin e së dielës në BE.