Presidenti i Francës, Emmanuel Macron emëroi këtë të premte, François Bayrou në postin e kryeminsitrit.
Sipas mediave vendase mësohet se Macron lajmëroi fillimisht se Bayro nuk do të ishte kryeministri i ri, mirëpo pas një takimi dy orësh që patën presidenti francez “ndryshoi mendje”.
Le Monde shkruan se Emmanuel Macron, informoi François Bairou se nuk do të emërohet në postin e lënë vakant nga Michel Barnier. Të njëjtat burime raportojnë se presidenti francez ka telefonuar François Bairou herët në mëngjes për ta informuar për vendimin e tij. Bayrou shkoi në Elysee pak orë më vonë dhe pati një diskutim të nxehtë me Macron.
Bayrou, 73 vjeç, një partner besnik në aleancën centriste të Macron, është një figurë e njohur në politikën franceze. Përvoja e tij politike shihet si kyçe në përpjekjet për të rivendosur stabilitetin pasi asnjë parti e vetme nuk ka shumicën në Asamblenë Kombëtare.
73-vjeçari është themeluesi i partisë politike Lëvizja Demokratike (MoDem) centriste dhe kryebashkiak i qytetit jugperëndimor të Pau. Kryeministrit të ri do i duhet të përballet direkt me një sfidë të menjëhershme në bërjen e një buxheti për të kaluar në parlament.
Ligjvënësit francezë votuan për rrëzimin e qeverisë së Michel Barnier, vetëm tre muaj pasi ai mori pushtetin. Rrëzimi i Barnier erdhi teksa ai u përpoq që të miratonte buxhetin e vitit 2025, i cili përfshinte rritje të taksave me vlerë 60 miliardë euro (62.9 miliardë dollarë).
Bayrou do të marrë përsipër këtë sfidë, por është e paqartë nëse qëndrimi i tij në detyrë do të jetë më i frytshëm se paraardhësi i tij.