Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ai dhe kabineti i tij po hartojnë një plan gjithëpërfshirës për të parë mundësitë diplomatike se si mund t’i jepet fund konfliktit me Rusinë dhe që në vend të vendoset paqeja.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten sllovene, Natasa Pirc Musar, Zelensky bëri të ditur këtë hap, ndërsa theksoi se ai ka zgjedhur rrugën diplomatike për të punuar në këtë aspekt, si dhe pret që propozimi i tij të mbështetet nga pjesa tjetër e botës.
“Është shumë e rëndësishme për ne që të tregojmë një plan për t’i dhënë fund luftës që do të mbështetet nga shumica e botës. Kjo është rruga diplomatike në të cilën po punojmë,”- tha Zelensky.
Megjithatë edhe pas deklaratës së tij, duhet thënë se marrëdhëniet midis vendeve kanë qenë vazhdimisht të tensionuara dhe dy liderët nuk kanë shprehur se do të bëjnë lëshime për hir të paqes, pasi të dy palët pretendojnë se është cenuar integriteti territorial i tyre.
Pak kohë më parë, në Zvicër u mbajt Samiti i Paqes në Zvicër, ku ishin të pransishëm më shumë se 90 liderë nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë këtij Samiti, liderët diskutuan nevojën për mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës, ndërsa u nënshkrua edhe një marrëveshje e cila ofron mbështetje ushtarake për t’i rezistuar një superfuqie si Rusia.
Por disa vende kyçe që morën pjesë, si India, nuk ranë dakord dhe të tjera, si aleati i Rusisë, Kina, bojkotuan samitin në shenjë proteste me arsyetimin se nuk mund të diskutohet për paqe pa praninë e Rusisë.