Ushtria libaneze ka konfirmuar zyrtarisht pushtimin izraelit. Raportohet se trupat izraelite shkelën Linjën Blu – kufiri i patrulluar nga Kombet e Bashkuara që ndan Izraelin dhe Lartësitë e pushtuara të Golanit nga Libani – duke hyrë afërsisht 400 metra në Libanin jugor.
Prej orësh, Izraeli ka nisur atë që e ka quajtur ofensivë të përqëndruar nga toka, duke pastruar kufirin me Libanin nga militantët e Hezbollahut, një grup joshtetëror i ndarë nga qeveria dhe ushtria libaneze, por nuk ka konfirmuar se ka kapërcyer Linjën Blu.
Ushtria izraelite është e angazhuar në "përballje nga afër" në Libanin jugor, ka thënë IDF në një deklaratë të re, e cila raporton operacione në "disa zona".
“Forcat nga Brigada Komando, duke përfshirë ushtarë nga Njësia Egoz, gjetën dhe shkatërruan një infrastrukturë sulmi të Hezbollahut.Trupat, në bashkëpunim me Forcën Ajrore izraelite, eliminuan terroristët dhe çmontuan infrastrukturën terroriste përmes municioneve të drejtuara me saktësi dhe angazhimeve me rreze të afërt", ka thënë Ushtria izraelite.
Ndërkohë, Hezbollahu ka njoftuar me krenari përballjen e dytë me trupat izraelite, duke theksuar se ka arritur t'i zmbraps ato me sukses nga depërtimi më thellë në territorin libanez.
Sipas këtij grupimi joshtetëror, ushtarët izraelitë kanë hyrë nga ana lindore dhe luftimet po vazhdojnë. Ky është konfrontimi i dytë i drejtpërdrejtë me trupat izraelite që Hezbollahu ka njoftuar sot. Më parë, grupi tha se ata zmbrapsën me sukses një inkursion të këmbësorisë izraelite në Liban.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) sapo kanë njoftuar vdekjen e shtatë ushtarëve si dhe plagosjen e shtatë të tjerëve.
“Dëshiroj të dërgoj ngushëllimet e mia nga thellësia e zemrës për familjet e heronjve tanë që ranë sot në Liban”, ka thënë kryeministri Benjamin Netanyahu në një video-mesazh, përmes të cilit i ka dërguar ngushëllime familjeve të ushtarëve izraelitë të vrarë sot.
Izraeli mbetet i mbyllur në “mesin e një lufte të ashpër kundër boshtit të së keqes të Iranit që kërkon të na shkatërrojë”, shtoi lideri izraelit.
Nga ana tjetër, kryeministri libanez Najib Mikati është shprehur se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet izraelite në Liban tani është rritur në 1.2 milionë. Sipas tij, armëpushimi është një nevojë urgjente në Liban.