
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka bërë daljen e tij të parë publike pas atentatit dhe plagosjes së rëndë tre javë. Përmes një video-mesazh ai njoftoi se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe se mund t’i kthehet punës në fund të muajit.
Fico ka komentuar sulmin ndaj tij, duke thënë se e fal sulmuesin për të cilin nuk ndjen urrejtje.
“Nuk ndjej asnjë urrejtje ndaj të huajit që më qëlloi, unë e fal atë dhe e lë të mendojë se çfarë bëri dhe pse e bëri”- ka theksuar Fico, ku shfaqej i qetë teksa fliste, por duke bërë pauza të gjata.
Kryeministri sllovak gjithashtu tha se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim aktiv ligjor ndaj Cintula, të cilin e cilësoi si “lajmëtar të së keqes dhe urrejtjes politike”, as nuk do të kërkojë dëmshpërblim.
“Më 15 maj, një aktivist i opozitës sllovake tentoi të më vriste për shkak të pikëpamjeve të mia politike”,- tha ai dhe theksoi se nuk kishte arsye të besonte se ishte një sulm i një të çmenduri të vetëm.