Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka deklaruar se do të nisë dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë. Gjatë seancës plenare të zhvilluar ditën e sotme, ai tha se ekzekutimi i këtij plani do të nisë brenda 10 deri në 12 javësh, teksa theksoi se do të zbatojë legjislacionin e ri pavarësisht kundërshtimeve nga palët e tjera.
Sipas Sunak, qeveria britanike është përgatitur që të realizojë dërgimin e emigrantëve në këtë vend, pasi ka rezervuar avionët si dhe ka bërë trajnimin e stafeve, të cilat do të merren me kthimin e emigrantëve në Ruandë.
“Nuk bëhet fjalë nëse mund të ndodhin. Këto fluturime për në Ruandë do të realizohen“, tha kryeministri i Britanisë Rishi Sunak.
Emigrantët mbërrijnë në Britani me anë të gomoneve, të cilët kalojnë Kanalin e La Manshit, në një udhëtim të rrezikshëm, të organizuara nga bandat që merren me kontrabandë njerëzish. Sipas raporteve, në këtë vend vijnë mijëra emigrantë, të cilët kanë ikur nga luftërat dhe varfëria në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ndërsa ka edhe një numër të theksuar shqiptarësh që kanë arritur në Britani vitet e fundit, me arsyen se nuk kanë kushte normale për të jetuar në Shqipëri.
Një nga objektivat kryesore të qeverisë konservatore është ndalimi i fluksit të emigrantëve, por nga ana tjetër, për kritikët plani për të dëbuar njerëzit në Ruandë është çnjerëzor dhe se ky shtet i Afrikës Lindore nuk është një vend i sigurt.
Dhoma e Lordëve e ka penguar shpeshherë këtë vendim, dhe mendohet se ai mund të përballet me sfida të mëtejshme ligjore nëse arrihet që të miratohet. Legjislacioni do të kthehet të hënën në dhomën e ulët të parlamentit, ku ligjvënësit pritet të heqin ndryshimet e propozuara nga Dhoma e Lordëve.