Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka sinjalizuar se është i gatshëm të nisë bisedimet për datën e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme pas shpërbërjes së qeverisë së tij. Lajmi erdhi pas një takimi informativ në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian në Budapest, ku Scholz theksoi se do të ishte e dobishme të diskutoheshin mundësitë për një kalendar të mundshëm zgjedhor, duke përfshirë një votëbesim të qeverisë së tij.
Pas shkarkimit të Ministrit të Financave, Christian Lindner, nga Partia Liberal Demokratike (FDP), qeveria e koalicionit, që përfshin socialdemokratët, të gjelbërve dhe liberalët, u shemb. Scholz theksoi se dëshironte të mundësonte zgjedhje të reja sa më shpejt të ishte e mundur, duke lënë të hapur mundësinë që këto të zhvilloheshin deri në fund të marsit të vitit 2024.
Përkundër këtij plani, opozita kërkon një procedurë më të shpejtë dhe do të donte që kancelari të kërkonte një votëbesim menjëherë, ndoshta që javën e ardhshme, për të siguruar që zgjedhjet të zhvilloheshin në afate më të shkurtra.
Sipas planit të Scholz, ai synon që, përmes mbështetjes së grupeve të tjera parlamentare, të miratojë disa ligje të rëndësishme para fundit të vitit. Pas kësaj, kancelari do të kërkonte një votëbesim në mes të muajit janar, duke hapur rrugën për zgjedhje në pranverën e vitit 2024.
Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë një mbështetje të fortë për zgjedhje të shpejta. Sipas një sondazhi nga ZDF, 84% e qytetarëve duan që zgjedhjet e ardhshme të Bundestagut të zhvillohen sa më shpejt të jetë e mundur.
DW raporton se në të njëjtën kohë, sondazhet e Institutit Forsa tregojnë se një pjesë e madhe e qytetarëve preferojnë një kandidat tjetër për kancelar në zgjedhjet e ardhshme. 57% e atyre që janë pyetur duan që ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të kandidojë si pasues i Scholz në krye të qeverisë.