Gjykata e “Leeds Crown” në Angli ka lënë në burg 6 shqiptarët e arrestuar disa muaj më parë në një shtëpi bari.
Sipas mediave të huaja, shqiptarët kishin përshtatur një shtëpi të braktisur dhe e kishin kthyer në fermë kanabisi.
Gjykata vendosi masat e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit shqiptarë Alitor Deda, 30 vjeç, Andi Teta, 33 vjeç dhe Ali Qerfozi, 42 vjeç, të cilët u dënuan me nga 24 muaj burgim. Për shqiptarin Erijon Gjoka, 21 vjeç, u vendos që të qëndrojë në qeli për 18 muaj, ndërsa për shtetasit Edison Markeci, 21 vjeç dhe Augustin Marku, 36 vjeç, morën secili nga 16 muaj burg.
Sipas hetimeve, ferma e kanabisit drejtohej nga shqiptarët në formën e një grupi të organizuar kriminal.
Ata u kapën në 4 dhjetor të vitit të kaluar në Moorfield House, në Fieldhouse Walk, Moortown, në një shtëpi të braktisur të kujdesit shëndetësor.
Gjatë operacionit të zhvilluar në këtë zonë, policia gjeti 811 bimë kanabisi, që sipas llogarive, do të prodhonin 44 kg lëndë narkotike, me një vlerë deri në 446 mijë paund.
Gjithashtu, në fermë, u gjetën po ashtu mjete të sofistikuara për kultivimin e drogës, si llampa me fuqi të lartë, kohëmatës, madje edhe armë, duke përfshirë shkopinj bejsbolli dhe hanxhar. Këto pajisje kapnin vlerën e 45 mijë paundëve. Shqiptarët u arrestuan në vendngjarjen dhe u akuzuan për prodhim kanabisi.