
Një këngëtar brazilian ka ndërruar jetë pasi u godit nga rryma gjatë një shfaqjeje live në Salinópolis, Pará, Brazil.
Ayres Sasaki, 35 vjeç, vdiq menjëherë pasi përqafoi një anëtar të audiencës, i cili ishte i lagur. Atë moment këngëtari kishte shkelur një kabllo, e cila, sipas një raporti të Mirror, shkaktoi një goditje elektrike fatale për të riun.
Është e paqartë pse fansi ishte i lagur, por policia e Salinópolis po heton incidentin. Policia ka marrë deklarata nga dëshmitarët okularë dhe autoritetet kanë kërkuar ekspertizë.
Hotel Solar ka lëshuar një deklaratë të dielën e 14 korrikut, ku sqaron se është duke bashkëpunuar me autoritetet.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ofruar mbështetje për familjen e tij dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet përkatëse për zbardhjen e fakteve”, thuhet në llogarinë zyrtare të hotelit në Instagram.