Një vajzë 13-vjeçare po lufton për jetën pasi u godit me thikë nga një bandë adoleshentësh. Nxënësja u dërgua me urgjencë në spital pasi u pa nga shoferët që kalonin në autostradën A63 në Yorkshire, pak para orës 7 të mëngjesit të sotëm.
Ajo ndodhet në një "gjendje kritike" pasi ka pësuar plagë me thikë në qafë, bark, gjoks dhe shpinë. Gjashtë të rinj – katër djem të moshës 14, 15, 16, 17 vjeç dhe dy vajza të moshës 14 dhe 15 vjeç – u arrestuan me dyshimin për tentativë vrasjeje në një zonë pyjore aty pranë.
"Unë e kuptoj se ky incident me të drejtë do të shkaktojë shqetësime në mesin e komunitetit dhe do të doja të ofroj garancitë e mia se si pjesë e hetimit tonë fillestar kemi gjashtë individë në paraburgim, të cilët të gjithë po merren në pyetje nga detektivët", ka thënë Kryeinspektori Simon Vickers.
“Në këtë kohë, ne besojmë se sulmuesit e njihnin viktimën dhe hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat rreth incidentit. Vajza mbetet në spital në gjendje kritike dhe familja e saj po mbështetet nga oficerët në këtë moment të vështirë", ka vijuar ai.
Ndërsa errësira ra në North Ferriby, rreth 12 oficerë policie vazhduan të kontrollonin zonën afër A63 deri rreth orës 18:00 GMT. Kërkimi ishte në një fushë midis linjës hekurudhore dhe karrexhatës së dyfishtë, por ajo shtrihej në pyjet përreth.