Ish-presidenti George W Bush dha deklaratën e tij të parë për fushatën presidenciale 2024, duke uruar ish-presidentin Donald Trump për fitoren e tij.
Megjithëse i përkasin të njëjtës familje politike republikane në SHBA, raportet mes të dyve nuk kanë qenë pozitive. Përmes një reagimi zyrtar, ish-presidenti e ka uruar Trump për fitoren si dhe zv.presidentin e sapozgjedhur JD Vance.
“Unë e përgëzoj Presidentin Trump për zgjedhjen e tij si President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe zëvendëspresidentin e sapozgjedhur JD Vance dhe familjet e tyre”, tha Bush, teksa ka falenderuar ndër të tjera edhe presidentin Joe Biden dhe zv.presidenten Kamala Harris për shërbimin e tyre. Ndër të tjera e cilësoi pjesëmarrjen në zgjedhje si "një shenjë e shëndetit të republikës sonë dhe fuqisë së institucioneve tona demokratike".
“Laura dhe unë u jemi mirënjohës zyrtarëve zgjedhorë, punonjësve të sondazheve dhe vullnetarëve që mbikëqyrën zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ne bashkohemi me bashkëqytetarët tanë në lutjen për suksesin e liderëve tanë të rinj në të gjitha nivelet e qeverisjes”, tha ai.
Bush qëndroi i heshtur në garën e 2024-ës, duke refuzuar të mbështesë një kandidat në këto zgjedhje.
Ndërkohë, nga ana tjetër vajza e tij, Barbara Bush, trokiti në dyert e qytetarëve amerikanë në Pensilvani në emër të Harris.
Ndër të tjera mediat e huaja bëjnë me dije se zv.presidentja Kamala Harris pritet të mbajë një fjalim në orën 16:00 (më 22:00 me orën shqiptare) në Universitetin Howard. Ajo pritet që të pranojë humbjen përballë Donald Trump dhe ta telefonojë atë.
Ajo pritet që të pranojë humbjen përballë Donald Trump. Gjithashtu, një fjali pritet dhe nga presidenti Joe Biden si dhe ky i fundit thuhet se do të telefonojë në orët në vijim pasuesin e tij Donald Trump.