"Mos harroni, një disfatë nuk do të thotë se ne jemi të mundur. Ne e humbëm këtë betejë. Amerika e ëndrrave tuaja po ju bën thirrje që të ngriheni përsëri.”
Ky ishte një nga mesazhet kulminante që presidenti Joe Biden kishte zgjedhur për t'iu drejtuar kombit amerikan, pas zgjedhjeve të 5 Nëntorit ku demokratët humbën garën për Shtëpinë e Bardhë, përballë republikanëve të drejtuar nga Donald Trump.
Biden tha se presidenca e tij ka qenë "historike" për shkak të paketave legjislative që u miratuan në mandatin e tij të cilat do të kenë efekte pozitive afatgjata. "Shumica dërrmuese do të ndihet gjatë 10 viteve të ardhshme," tha ai nga Kopshti i Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti u zotua të "përmbushë [betimin e tij]" dhe "të nderojë Kushtetutën" amerikane duke siguruar një transferim paqësor të pushtetit tek administrata Trump më 20 janar 2025.
"Për më shumë se 200 vjet Amerika ka kryer eksperimentin më të madh në vetëqeverisje në historinë e botës," tha ai. “Njerëzit votojnë dhe zgjedhin liderët e tyre – dhe ata e bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Dhe në një demokraci, vullneti i popullit gjithmonë mbizotëron.”
Joe Biden vazhdimisht pranoi se do të bënte atë që Trump nuk e bëri në vitin 2020 dhe do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve. "Ne e pranojmë zgjedhjen që bëri vendi," tha presidenti amerikan. "Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord."
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump kishte vënë në pikëpyetje në mënyrë të përsëritur sistemin zgjedhor të SHBA-së pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020, duke përhapur pretendime të rreme për mashtrimin e votuesve dhe duke nisur një sërë sfidash ligjore në shtetet e lëkundura.
Dhe në muajt para zgjedhjeve presidenciale 2024, ai mbolli dyshime të mëtejshme në sistemin zgjedhor, duke bërë pretendime të pabaza se demokratët po manipulonin zgjedhjet, duke rezultuar në kërcënime në rritje kundër punonjësve të zgjedhjeve.