Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

Izraeli, thirrje për sanksione ndaj programit të raketave të Iranit

Shkruar nga Newsbomb

Izraeli, thirrje për sanksione ndaj programit të raketave të

Izraeli bëri thirrje të martën për sanksione të reja kundër Iranit si pjesë e përgjigjes ndaj një sulmi të pashembullt ajror që Teherani dhe disa prej aleatëve të tij ndërmorën ndaj shtetit hebre.

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz, shkruante në mediat sociale se ai kishte kontaktuar më shumë se 30 vende për të nxitur sanksione kundër programit të raketave të Iranit, si dhe për shpalljen e Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, një organizatë terroriste. Shtetet e Bashkuara janë në mesin e atyre vendeve që e kanë shpallur këtë të fundit një grup terrorist.

Që prej muajit tetor dhe me skadimin e sanksioneve të OKB-së, Uashingtoni ka vendosur disa raunde sanksionesh ndaj programit të raketave balistike iraniane.

Izraeli ndërkaq duket i vendosur për një kundërpërgjigje ushtarake ndaj sulmit Iranian të së shtunën, pavarësisht thirrjeve të udhëheqësve botërorë për shtensionim të situatës.

Sipas një zyrtari Kabineti i Luftës është mbledhur sot (e martë) për herë të tretë brenda tre ditësh, për të vendosur mbi një përgjigje ndaj sulmit.

Të hënën zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se Teherani duhet të paguajë një çmim për sulmin me rreth 350 raketa e dronë të së shtunës, shumë prej të cilave të lëshuar nga toka iraniane.

“Irani do të përballet me pasoja për veprimet e tij”, tha shefi ushtarak izraelit, general lejtënant Herzi Halevi, duke folur nga baza ajrore Nevatim në jug të vendit.

Udhëheqësit ushtarakë izraelitë nuk kanë dhënë hollësi rreth përgjigjes ndaj sulmit Iranian, por zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes, Admirali Daniel Hagari tha se përgjigja do të vijë atëherë kur ta vendosë Izraeli.

Retorika e ashpër izraelite vjen edhe pse mbështetësi i tij më i zjarrtë, Shtetet e Bashkuara, i ka kërkuar të tregohet i përmbajtur, duke argumentuar se dështimi i sulmit ishte në vetvete një fitore e madhe.

“Është shumë e qartë se Irani lëshoi mbi 300 dronë e raketa dhe 99% e tyre u rrëzuan”, tha sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneral major Pat Ryder.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby u tha të hënën gazetarëve se “Izraeli sot është në një pozicion strategjik shumë më të fortë se sa ishte vetëm disa ditë më parë”.

Britania, Franca, Jordania dhe Arabia Saudite iu bashkuan Shteteve të Bashkuara dhe Izraelin, për të rrëzuar raketat dhe dronët iranianë.

“Programi i raketave me të cilin Irani është mburrur, e që e ka përdorur për të kërcënuar Izraelin dhe rajonin, tregoi se ishte shumë më pak efektiv”, tha zoti Kirby.

Të hënën në mbrëmje Pentagoni njoftoi për një bisedë mes Sekretarit amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Gjatë bisedës zoti Austin “ripërsëriti mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për mbrojtjen e Izraelit si dhe ripohoi qëllimin strategjik të Uashingtonit për stabilitet rajonal”.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se gjatë sulmit Iranian ndaj Izraelit, i pari i nisur ndonjëherë nga toka iraniane, ishin përdorur më shumë se 110 raketa balistike, 30 raketa kruz dhe më shumë se 150 dronë. Sipas tyre në sulm ishin përfshirë edhe forcat iraniane në Irak, Siri dhe Jemen.

Irani, i cili e cilësoi sulmin e së shtunës si një sukses, tha se ishte një përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar ajror izraelit, në kompleksin e ambasadës iraniane në Siri, më 1 prill gjatë të cilit, u vranë shtatë oficerë të Gardës Revolucionare iraniane, mes tyre dy komandantë të lartë.

Disa zyrtarë nga Turqia, Jordania dhe Iraku thanë të dielën se Irani paralajmëroi për sulmin, për të shmangur një numër të madh viktimash dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Por zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit hodhi poshtë këto pretendime gjatë një konference shtypi në Teheran të hënën kur tha se: “nuk kishte asnjë marrëveshje të paracaktuar mes nesh (Iranit) e ndonjë pale tjetër”.

Zyrtarët amerikanë hodhën poshtë njoftimet se sulmi nga Teherani kishte për qëllim të ishte simbolik./ VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese