
Lindja e Mesme përballet me krizën më të madhe ndër vite, teksa po përgatitet për një luftë të mundshme mes Iranit dhe Izraelit, që mund ta përfshijë të gjithë rajonin. Tensioni për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Lindjen e Mesme çdo ditë dhe më shumë po rritet.
Hezbollahu ka paralajmëruar sulme në Izrael shumë shpejt, edhe Irani gjithashtu. Nga ana tjetër Izraeli ka theksuar se nëse Hezbollahu plagos ose vret civilë, në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të tij, përgjigja e forcave të armatosura izraelite do të jetë e ashpër, sipas dy zyrtarëve izraelitë.
Zyrtarët izraelitë thonë se vendi i tyre nuk dëshiron një luftë gjithëpërfshirëse me Hezbollahun në Liban, dhe tani Izraeli po përpiqet të përcaktojë se çfarë do t’i detyronte autoritetet të zgjerojnë konfliktin, duke rrezikuar luftën.
Lideri i Hezbollah, Hassan Nasrallah tha në një fjalim dy ditë më parë se organizata e tij do të hakmerret ndaj Izraelit për vrasjen e komandantit Fuad Shukr dhe se Irani do të bëjë të njëjtën gjë për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.