Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

Izraeli sulmoi pozicionet paqeruajtëse të OKB-së, reagon Këshilli i Sigurimit: Respektoni personelin!

Shkruar nga Newsbomb
Izraeli sulmoi pozicionet paqeruajtëse të OKB-së, reagon
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u shpreh të hënën i shqetësuar pas goditjes së disa pozicioneve të paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor mes përleshjeve mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Në një deklaratë të miratuar me konsensus, këshilli prej 15 anëtarësh u kërkoi gjithashtu të gjitha palëve, pa i përmendur ato, të respektojnë sigurinë e personelit dhe ambienteve të misionit paqeruajtës të OKB-së, të njohur si UNIFIL.

“Paqeruajtësit dhe objektet e OKB-së nuk duhet të jenë kurrë objektiv i një sulmi“, tha këshilli, duke përsëritur mbështetjen e tij për misionin.

Po ashtu, Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për zbatimin e plotë të rezolutës 1701, e cila u miratua në vitin 2006 me qëllim ruajtjen e paqes në kufirin midis Libanit dhe Izraelit. Këshilli pranoi nevojën për masa të mëtejshme praktike për arritjen e një rezultati të tillë, por nuk dha hollësi.

Që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit në Liban më 1 tetor, pozicionet e misionit paqeruajtës të OKB-së janë goditur 20 herë, duke përfshirë një sulm të drejtpërdrejtë dhe një incident të shënuar të dielën kur dy tanke izraelite shpërthyen portat e një baze të tij, thanë Kombet e Bashkuara.

“Pesë paqeruajtës janë plagosur gjatë këtyre incidenteve, duke përfshirë një paqeruajtës që u plagos nga një plumb“, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Gjatë dy javëve të fundit, Izraeli u ka thënë paqeruajtësve të OKB-së që për sigurinë e tyre, të tërhiqen pas 5 kilometra nga e ashtuquajtura Linja Blu, një linjë e hartuar nga OKB-ja që ndan Libanin nga Izraeli dhe Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli.

Të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje OKB-së të evakuojë paqeruajtësit nga zonat e luftimeve në Liban.

“Është koha që t’i largoni paqeruajtësit nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimi”, tha ai.

Shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix tha të hënën se trupat e OKB-së nuk do të lëvizin. Pasi informoi me dyer të mbyllura Këshillin e Sigurimit, ai u tha gazetarëve se do të takohej me ambasadorin izraelit të OKB-së, Danny Danon të martën.

Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut është intensifikuar gjatë javëve të fundit, ndërsa Izraeli ka bërë sulme ajrore në Libanin jugor, në rrethinat jugore të Bejrutit dhe në Luginën Bekaa./ VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese