Hapësire reklamuese

Bota

Izraeli njofton vazhdimin e bisedimeve për armëpushimin në Gazë

Shkruar nga Newsbomb
Izraeli njofton vazhdimin e bisedimeve për armëpushimin në
Pamje nga bombardimet në Rafah

Izraeli tha se ka ende ka “boshllëqe”me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se si të arrihet një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve. Por, Izraeli tha se do të dërgojë një delegacion për bisedimet e reja me ndërmjetësit nga Katari, që do të mbahen javën e ardhshme.

Deklarata nga zëdhënësi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, vjen pasi një delegacion i udhëhequr nga kreu i Mossadit – shërbimit izraelit të inteligjencës – David Barnea, zhvilloi rundin e parë të bisedimeve me ndërmjetësit në Doha më 5 korrik.

“Ka pajtim që javën e ardhshme negociatorët izraelitë të udhëtojnë në Doha për të vazhduar bisedimet. Ka ende ‘boshllëqe’ në mesin e palëve”, tha zëdhënësi përmes një deklarate.

Lufta në Gazë ka nisur nëntë muaj më parë dhe deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje armëpushimi, përveç një pauze njëjavore në nëntor, që mundësoi lirimin e 80 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit nga Izraeli të 240 të burgosurve palestinezë.

SHBA-ja, që ka punuar së bashku me Katarin dhe Egjiptin për të ndërmjetësuar një marrëveshje, ka folur për rëndësinë e madhe të vendimit të Netanyahut për të dërguar delegacion në Katar.

SHBA-ja tha se beson që Izraeli dhe Hamasi kanë hapësirë për të arritur marrëveshje.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugin e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi./REL

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese