Pas vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara (UNHRC), edhe Izraeli ka vendosur të ndjekë të njëjtin hap. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sha’ar, i cili theksoi se ky vendim erdhi si reagim ndaj, sipas tij, diskriminimit të vazhdueshëm që i bëhet Izraelit në këtë organizatë.
“Izraeli ndjek Shtetet e Bashkuara dhe nuk do të marrë më pjesë në UNHRC. Diskriminimi ndaj nesh është i qartë: në këtë këshill, Izraeli është i vetmi vend që ka një pikë të veçantë në rendin e ditës, e fokusuar ekskluzivisht në të”, u shpreh Sha’ar.
Gjatë viteve, Izraeli ka qenë objekt i mbi 100 rezolutave dënuese, duke përbërë mbi 20% të të gjitha rezolutave të miratuara nga ky këshill, një numër më i lartë se ai i miratuar kundër vendeve si Irani, Kuba, Koreja e Veriut dhe Venezuela së bashku.
Ky vendim i Tel Avivit erdhi pas një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të jenë diskutuar dhe qëndrimet e përbashkëta mbi organizatat ndërkombëtare.