
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka futur në listën e zezë, Izraelin dhe Hamasin për krimet e luftës që ato kanë kryer ndaj civilëve gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.
Në raportin vjetor të OKB-së thuhet se lufta në Izrael dhe Gaza, si dhe në Ukrainë dhe Sudan, çoi në një numër të lartë fëmijësh të vrarë dhe të plagosur në vitin 2023.
Sipas mediave të huaja, duke u nisur nga të dhënat e raportit, vitin e shkuar është parë një rritje tronditëse prej 21 për qind në shkeljet e rënda kundër fëmijëve nën moshën 18 vjeç në të gjitha konfliktet, derisa lufta e Izraelit dhe Hamasit ka parë një rritje prej 155 për qind.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se duke u bazuar në raportin e publikuar, forcat izraelite u përfshinë për herë të parë për vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve nga IDF dhe sulmin ndaj shkollave dhe spitaleve.
Hamasi, sipas raportit gjithashtu është përfshirë në vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e fëmijëve.
Në total, raporti i OKB-së shkruan se rreth 19 mijë e 887 fëmijë palestinezë u raportuan të vrarë ose të gjymtuar në të gjithë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Megjithatë, këto raporte do të jenë në pritje të verifikimeve të mëtejshme nga organizata të tjera ndërkombëtare.