
Aktivistja italiane Ilaria Salis pritet të lirohet nga paraburgimi në Hungari pas zgjedhjes së saj si deputete e Parlamentit Evropian (PE). Ajo u akuzua për sulm ndaj protestuesve të ekstremit të djathtë, duke u përballur me një dënim të mundshëm 20 vjet.
Tashmë që është një eurodeputete e sapozgjedhur, ajo pritet të lirohet nën imunitetin që i jep posti.
Mësuesja 40 vjeçare ndodhet prej 15 muajsh në burg pasi u akuzua për sulm ndaj demonstruesve të ekstremit të djathtë në Hungari. Salis u arrestua në Budapest vitin e kaluar dhe u dyshuar për përfshirje në sulmet e supozuara gjatë përkujtimit të Ditës së Nderit të Hungarisë.
Ajo ka këmbëngulur në pafajësinë e saj, por u përball me mundësinë e një dënimi me 20 vjet burg. Salis akuzohet për tentativë vrasjeje pasi dyshohet se ishte pjesë e një grupi antifashistësh që sulmuan njerëzit që ata besonin se ishin të lidhur me ngjarjen e ekstremit të djathtë. Viktimat e dyshuara nuk e kanë denoncuar ngjarjen në polici.

Çështja bëri bujë kur Ilaria Salis u shfaq në një gjykatë hungareze e prangosur dhe e lidhur me zinxhirë. Pas protestave publike, Roma thirri ambasadoren hungareze dhe përfundimisht siguroi transferimin e saj në arrest shtëpiak.
Paraqitjet e saj në gjykatë, e lidhur me zinxhirë me duar dhe kyçin e këmbëve të lidhura me pranga, ndezën zemërim në Itali, megjithëse Budapesti pretendoi se ishte procedurë standarde. Qeveria hungareze ka mbrojtur trajtimin ndaj Salis, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve zyrtare nga qeveria italiane.
Ilaria Salis kandidoi me partinë e Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë dhe mori votat e nevojshme për të siguruar një ulëse në Parlamentin Europian. Tashmë ajo do të lirohet si rezultat i imunitetit të saj nga posti i eurodeputetes.