
Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, ka deklaruar se disa zyrtarë rusë e “keqinterpretuan dhe e hodhën poshtë publikisht” dobinë e informatave që SHBA-ja ua kaloi shërbimeve ruse të sigurisë në fillim të këtij muaji, në lidhje me kërcënimet nga Shteti Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin në Moskë.
Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e qeverisë ruse rreth informatave që Shtetet e Bashkuara ia dhanë Moskës.
Në komunikatë, Tracy e përsërit se informatat u shkëmbyen në mënyrë të shkruar dhe shumë specifike, të besueshme dhe me kohë. Ajo shtoi se SHBA i dha këto informata përmes “politikës së kamotshme për ‘detyrën për të paralajmëruar’”, e cila mundëson shkëmbimin e informatave kur ka kërcënim ndaj civilëve të pafajshëm.
”Kjo është një praktikë që SHBA-ja e ndjek jo vetëm me vendet aleate, por edhe me vendet me të cilat ne mund të kemi mospajtime të thella, përfshirë me Rusinë”, - tha ajo.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shkëmbejnë informata dhe gjithashtu do të vazhdojnë t’i përgjigjen kërkesave të qeverisë ruse për ndihmë në lidhje me hetimin për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus.