
Një 36 vjeçar me origjinë nga Shqipëria është arrestuar në Kinë, si pjesë e një grupi kriminal që operonin në trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Lindjes së Largët.
Prokurori i çështjes, Hou Xaiangdong, ka kërkuar dënim me vdekje për të riun shqiptar dhe 5 të tjerë, pasi konsiderohen kokat e grupit, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në muajin qershor, raporton gazetari Muhamed Veliu.
Shqiptari me iniciale K.K është arrestuar bashhkë me një grup prej 17 personash me nacionalitet të Kinës si dhe disa të tjerë nga Vietnami.
Sipas policisë së Kinës, ata tentuan me një anije të nisur nga Hong Kongu, të fusin në shtetin komunist, 1 ton kokainë cila ishte blerë në Amerikën Latine.
Në momentin kur panë se po i afrohej një anije e Rojës Bregdetare të Kinës, kapiteni i anijes Wu Duojian, udhëzoi gjashtë marinarët mes tyre edhe të riun shqiptar të hedhin në det pakot e drogës.
I riu shqiptar është 36 vjeç me origjinë nga një qytet në jug të Shqipërisë. Familjarët e tij, ishin në Kinë për të ndjekur procesin gjyqësor.
Procesi gjyqësor për të riun dhe pjesën tjetër të grupit është zhvilluar në gjykatën e Guangzhou në Kinë, përkatësisht në datat 11- 14 qershor.

Avokati i tij ka kërkuar në sallën e gjyqit që ndaj shqiptarit me inicialet K.K, duhet të këtë një masë më të lehtë, duke e dënuar atë me burg dhe jo dënim me vdekje, pasi ai argumenton se shqiptari është viktimë e kësaj situate dhe nuk është organizator i trafikut të kokainës.
Nga të dhënat e mbledhura prej avokatit të shqiptarit përfshirë këtu edhe dëshmitë e të arrestuarve të tjerë gjatë kohës që po transportohej droga, i riu shqiptar ishte i punësuar si marinar në këtë anije.
Ai e kishte kuptuar se ishte përfshirë në një grup kriminal, vetëm në momentin kur është urdhëruar nga kapiteni i anijes që të hidhte në det sasinë e kokainës.
“Ai në asnjë moment nuk ka dhënë ndihmë në mënyrë të vetëdijshme për ngarkesën që po transportohej sepse nuk ka qenë në dijeni dhe për këtë punë. Ai është udhëzuar përmes një zonje me telefon satelitor që i ofroi punë dhe para për shpenzimet e udhëtimit.
Ajo në asnjë moment nuk i ka bërë të qartë klientit tim shqiptar, që puna në të cilën ajo e kishte punësuar ishte drogë dhe jo mallra shërbimi sikurse pretendonte zonja”,- ka argumentuar avokati i të riut para Gjykatës.
Gjithashtu, pala mbrojtëse ka argumentuar se 36 vjeçari shqiptar duhet të ndiqet për gjykim nga gjykatat e drejtësisë në Hong Kong, pasi bosit të vërtetë të krimit po i bëhet gjyqi në atë vend, dhe ai edhe pse është koka e grupit është dënuar me burgim.
Avokati shton se kërkesa e prokurorit që shqiptari të dënohet me vdekje është e paarsyeshme në një rast që ai është viktimë e mashtrimit dhe jo organizator i trafikimit të lëndëve narkotike.
“Ai duhet të ndiqet për gjykim nga gjykatat e drejtësisë së Hong Kong-ut, pasi bosi i vërtetë i krimit po gjykohet në Hong Kong dhe ai ka marrë masë më të lehtë ndëshkimi, atë të burgimit.
Në këto kushte nuk ka se si të dënohet klienti im me vdekje, kur ai në asnjë rast nuk është organizator i krimit përveçse viktimë dhe pre e mashtrimit të grupit organizator”,- ka përfunduar avokati, shkruan Top Chanel.
Vendimin përfundimtar për të riun shqiptar dhe 16 të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Kinës pritet që ta japë gjatë muajit korrik.