
Turma të shumta janë mbledhur në Damask të Sirisë këtë të dielë për të festuar rënien e qeverisë së Bashar Asadit. Festa u shoqërua me thirrje, lutje dhe të shtëna herë pas here me armë zjarri pasi luftëtarët e opozitës hynë në kryeqytet pas një përparimi mahnitës.
Rami Abdurrahman i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues i luftës i opozitës siriane, deklaroi sot në mëngjes se Assad ka fluturuar nga Damasku dhe është largua ndërsa vendndodhja e tij mbetet e panjohur.
Kjo është hera e parë që forcat opozitare arritën në Damask që nga viti 2018, kur trupat siriane rimorën zonat në periferi të kryeqytetit pas një rrethimi shumëvjeçar.
Një natë më parë, forcat opozitare morën kontrollin e qytetit qendror të Homsit, i treti më i madh në Siri, pasi forcat qeveritare e braktisën atë. Libani tha se po mbyllte të gjitha pikat kufitare tokësore me Sirinë, përveç një që lidh Bejrutin me Damaskun. Jordania mbylli gjithashtu një pikë kufitare me Sirinë.
Protestuesit gjithashtu rrëzuan statujën e babait të presidentit Bashar al-Assad, ish-presidentit Hafez al-Assad, në periferi të Damaskut.
Hafez al-Assad ishte president i Sirisë nga 1971 deri në vitin 2000, kur ia përcolli pushtetin djalit të tij Bashar. Edhe në disa qytete të tjera statuja e Hafezit është rrëzuar.