Benjamin Netanyahu është kryeministri i parë izraelit i cili është marrë si i pandehur në gjykatë i akuzuar për veprën penale të korrupsionit.
Netanyahu ka dalë përpara trupit gjykues këtë të martë teksa përveçse ka mohuar akuzat, ai ka thënë se ato janë “një pikë uji në det” në krahasim me çfarë shteti izraelit po përballet vitet e fundit.
Kreu i qeverisë izraelite teksa po përballet së fundmi me një urdhër arresti ndërkombëtar ku akuzohet për krime lufte, tashmë mbi Netanyahun po rëndon dhe vepra penale e korrupsionit, rryshfet si dhe shkelje të besimit në tre raste specifike.
Ai akuzohet se ka pranuar cigare puro dhe shampanjë me vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh nga një producent miliarder i Hollivudit në këmbim të ndihmës për të çuar përpara interesat e tij në planin e biznesit dhe atë personal. Ai po ashtu akuzohet se ka miratuar rregulla të favorshme për pronarë të mediave në këmbim të mbulimit mediatik pozitiv për të dhe familjen e tij.
Dëshmia, e cila do të zgjasë gjashtë orë në ditë, tre ditë në javë për disa javë, do të konsumojë një pjesë të madhe të orarit të punës së Kryeministrit Netanyahu, duke i nxitur kritikët të pyesin nëse ai mund ta menaxhojë qeverisjen e një vendi të zhytur në luftë në një front, ndërkohë që përpiqet të vëzhgojë kërcënimet tjera të mundshme rajonale, përfshirë nga Irani.
Ndërkohë kritikët dhe kundërshtarët e tij politikë kanë pohuar se kjo çështje do të ndikojë në punën e tij qeverisëse ndërsa Netanyahu tha në gjykatë se ai është i aftë të barazpeshojë paraqitjet e tij në gjykatë dhe të jetë prezent në detyrën e tij si kryeministër.
Ai dha versionin e tij të ngjarjeve dhe detaje personale mbi jetën e tij, përmes të cilave shpreson të formësojë përshtypjet e gjykatësve për të. Ai tha se në fillim të karrierës së tij publike ai shqetësohej për mbulimin mediatik, por se me kohë e kuptoi që ai ka pak rëndësi, një kontrast me pasqyrimin që i bën prokuroria duke e përshkruar si një njeri të fiksuar me imazhin e tij.
Ai tha se pi cigare puro, por se rrallë herë arrin t’i pijë plotësisht për shkak të sasisë së punës dhe se e urrente shampanjën.
Netanyahu gjithashtu ka kritikuar dhe mediat izraelite, referuar tensioneve të vazhdueshme që ai ka me shtypin.
“Kurrë nuk ka patur media të tilla të njëanshme në asnjë demokraci tjetër… siç ka në Izrael”, tha Netanyahu përpara gjykatës.