Një shqiptar ka pësuar dëmtime të rënda fizike, pasi hyri për të vjedhur një vilë në Spanjë, por në tentativën për t’u arratisur ai është rrëzuar.
Sipas mediave vendase, autori, 36 vjeçari shqiptar është pikasur nga pronari i shtëpisë, i cili ka njoftuar në mënyrë të menjëhershme policinë e Palma de Mallorca.
Ngjarja e ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të së martës, në lagjen s’Arenal ka ngritur shqetësimin e banorëve, ndërsa në vend ka mbërritur policia.
I zbuluar nga autoritetet, shqiptari ka bërë tentativën e fundit për të dalë nga kurthi i rënë dhe ka tentuar që të zbresë nga ballkoni por ai ka rrëshqitur duke rënë në pjesën e poshtme të garazhit.
Për pasojë, ai ka thyer të dyja këmbët, teksa ka tentuar që të bëjë edhe provën e fundit për t’u arratisur, pasi është zvarritur për t’u ngjitur në murin rrethues të vilës, por as kjo nuk rezultoi e sukseshme.
Gjendja e tij fizike bëri që agjentët e policisë ta arrestonin menjëherë, por duke parë dëmtimet e të arrestuarit, ato u detyruan që të kërkonin një ambulancë për ta dërguar paraprakisht në spitalin Son Espases.
Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se mjekët kanë treguar se 36 vjeçari shiqptar ka thyer të dy nyjat e këmbëve, dhe se nevojitej që të merrte trajtim të specializuar.