Tregtia e drogës, prostitucioni i paligjshëm dhe kontrabanda e duhanit gjeneruan rreth 17 miliardë euro në Holandë në vitin 2021, por shumica e të ardhurave përfunduan jashtë vendit, sipas një studimi të ri nga agjencia kombëtare e statistikave CBS.
Sipas kësaj agjencie, në total, aktivitetet e paligjshme gjeneruan 4.5 miliardë euro për ekonominë hollandeze në vitin 2021.
Kokaina ishte gjeneruesi më i madh i parave, duke arritur në shifrën 10.7 miliardë euro nga shitjet, por 90% e të ardhurave shkuan jashtë vendit.
"Pjesa më e madhe e tregtisë ndërkombëtare të drogës që zhvillohet në Hollandë është nën udhëheqjen e njerëzve që nuk jetojnë këtu",- tha CBS.
Agjencia vlerëson se industria e drogës sintetike gjeneron rreth 1 miliardë euro për ekonominë hollandeze, kanabisi 1.4 miliardë euro, prostitucioni 700 milionë euro dhe kontrabanda e duhanit 100 milionë euro.
Në total, aktivitete të tilla kriminale kontribuojnë me 0.5 pikë përqindje të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Hollandës. Kjo është paksa më e ulët se në vitin 2015, kur u bënë vlerësimet e fundit.
Vlerësimet bazohen në një shumëllojshmëri të gjerë burimesh, si kapjet e drogës në portet hollandeze dhe belge, analizat e ujërave të zeza për të vlerësuar konsumin e drogës dhe shifrat e policisë.
Kjo i lejon studiuesit të vendosin konsumin total të kokainës në Hollandë në rreth 12 ton në vitin 2021, me një vlerë prej 618 milionë eurosh.
Të ardhurat nga prodhimi dhe trafikimi i drogës, prostitucioni dhe tregtia e paligjshme e duhanit janë pjesë e llogarive kombëtare, por aktivitete të tjera të paligjshme, si trajtimi i mallrave të vjedhura, kopjimi i paligjshëm i programeve kompjuterike dhe lojërat e paligjshme të fatit nuk përfshihen më .