Një helikopter ushtarak është rrëzuar teksa kryente stërvitje, pranë Shkollës turke të Aviacionit në Isparta. Nga incidenti ajror ka humbur jetën gjenerali İsa Baydilli dhe pesë ushtarë, të cilët kishin dalë për stërvitje.
Sipas dëshmitarëve, helikopteri ushtarak është përplasur me një tjetër në ajër dhe për pasojë ka shpërthyer, përpara se të rrëzohej në tokë. Kurse mjeti tjetër ajror i ka shpëtuar rrëzimit, duke bërë ulje emergjente.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare lëshoi një deklaratë për rrëzimin e helikopterit ushtarak në qendër të qarkut Keçiborlu të Ispartës. Në deklaratë thuhet se: “Një nga helikopterët tanë të tipit UH-1, i cili ishte në një fluturim stërvitor në Isparta, u përfshi në një aksident dhe 6 pjesëtarë të personelit tonë ranë dëshmorë."
Komanda e Shkollës së Aviacionit të Ushtrisë, e cila u zhvendos nga Ankaraja në distriktin Keçiborlu të Ispartës në vitin 2018, trajnon pilotë për Forcat Tokësore dhe Detare. Edhe fluturimi i sotëm ka qenë stërvitor, por fatkeqësisht nuk ka shkuar ashtu siç duhet.
Guvernatori i Ispartës, Abdullah Erin ka bërë të ditur për mediat në Turqi se një nga helikopterët u rrëzua si pasojë e kontaktit gjatë fluturimit stërvitor. Për ngjarjen ka nisur një hetim, i cili pritet të zbardhë se çfarë ka ndodhur në ajër, 2 kilometra nga Shkolla e Aviacionit.