Grenlanda vazhdon të theksojë faktin se nuk është në shitje. Kjo deklaratë është ripërsëritur dhe kryeministja e Danimarës Mette Frederiksen, gjatë një interviste të dhënë për mediat daneze.
Ajo ka cituar kryeministrin e Grenlandës Múte Egede, i cili ka deklaruar më parë se ishulli i Grenlandës nuk është në shitje dhe nuk do të jetë as në të ardhmen.
“Nga njëra anë, jam e kënaqur për rritjen e interesit amerikan në Grenlandë. Por sigurisht, është e rëndësishme që kjo të ndodhë në një mënyrë që është vendimi i grenlandezëve, çfarë do të sjellë e ardhmja e tyre”, tha Frederiksen në një intervistë për transmetuesin danez TV 2.
Në vitin 2019, Trump kishte bërë tashmë një ofertë për të blerë Grenlandën. Në atë kohë, Frederiksen e quajti propozimin "absurd" dhe theksoi se Grenlandezët duhet të vendosin vetë të ardhmen e tyre.
Gjatë dikutimeve të fundit në lidhje me këtë çështje, Trump ka deklaruar se nuk e përjashton as mundësi e përdorimit të forcës ushtarake për ta bërë Grenlandën pjesë të Amerikës së madhe, situatë kjo që ka ngjallur panik tek banorët e ishullit.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka cilësuar të domosdomshme blerjen e Grenlandës, thënë kjo dhe nga studiues të tjerë teksa e kanë cilësuar ishullin si qendrën botërore gjeopolitike dhe ekonomike.
Profesori i mjedisit Geoff Dabelko, vuri në dukje se mineralet e vlefshme të tokës së rrallë, thelbësore për telekomunikacionin, janë të mbyllura brenda Grenlandës. Për më tepër, nëntoka e ishullit përmban uranium, miliarda fuçi naftë të pashfrytëzuar dhe rezerva të mëdha gazi natyror.