
Gjykata Ndërkombëtare Penale të premten u bëri thirrje vendeve anëtare të ngrihen kundër sanksioneve të vendosura nga Presidenti Donald Trump, duke thënë se masa ishte një përpjekje për të "dëmtuar punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore".
Shtëpia e Bardhë lëshoi urdhrin ekzekutiv të enjten në përgjigje të atyre që i quajti "veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin". Ai i referohej urdhrit të arrestit që ICC-ja lëshoi vitin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me krimet e dyshuara të luftës në Gaza.
Siç raporton BBC, gjykata me bazë në Hagë tha se "dënon" masën. “Gjykata qëndron fort pranë personelit të saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën”, tha gjykata në një deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje 125 shteteve tona palë, shoqërisë civile dhe të gjitha kombeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në deklaratë. “Me këtë kërcënohet puna juridike e pavarur dhe e paanshme e Gjykatës”, thuhet ndër të tjera.
Vitet e fundit, ajo ka lëshuar gjithashtu urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin për krime të dyshuara lufte në Ukrainë, liderët talebanë për "persekutimin e vajzave dhe grave afgane" dhe liderin ushtarak të Mianmarit për krime kundër muslimanëve Rohingya.
SHBA dhe Izraeli nuk janë anëtarë të gjykatës, por më shumë se 120 vende janë, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shumë vende evropiane.
Trump nënshkroi masën ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po vizitonte Uashingtonin. Sipas dekretit të Trump, drejtuesve, punonjësve të ICC-së, si dhe anëtarëve të afërt të tyre të familjes u ndalohet hyrja në SHBA.
Gjithashtu, të gjitha pasuritë që këta persona zotërojnë në SHBA do të ngrihen. Gjykata siguroi punonjësit e saj për mbështetjen e plotë.