Hapësire reklamuese

Bota

GJND urdhëron Izraelin të ndalojë ofensivën ushtarake në Rafah, reagojnë zyrtarët e shtetit hebre: E padrejtë, duam të shpëtojmë pengjet

Shkruar nga Newsbomb
GJND urdhëron Izraelin të ndalojë ofensivën ushtarake
Foto nga ofensiva ushtarake në Rafah

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar Izraelin që të ndalojë ofensivën ushtarake në Rafah.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, GJND e OKB-së ka kërkuar nga Izraeli që pika kufitare Rafah me Egjiptin duhet të hapet për hyrjen e ndihmave humanitare.

Megjithatë, edhe pse GJND-ja mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme në mosmarrëveshjet midis vendeve, atto kanë pak mundësi që urdhrat e saj të zbatohen.

Kujtojmë se më herët, Afrika e Jugut i kishte kërkuar GJND-së që ta urdhëronte atë si masë emergjente, duke thënë se veprimet e Izraelit në Rafah përbëjnë një operacion "gjenocidal" dhe kërcënojnë mbijetesën e popullit palestinez. Kërkesa është pjesë e një dokumenti më voluminoz, që përmban krimet që ka kryer Izraeli në Rripin e Gazës.  

Izraeli ka thënë më parë se ofensiva Rafah është çelësi për mposhtjen e Hamasit pas sulmeve të 7 tetorit dhe e quajti rastin e Afrikës së Jugut krejtësisht të pabazuar.

Për këtë vendim të GJND-së, sipas BBC-së ka reaguar edhe Izraeli me Hamasin.

Një zëdhënës i Hamasit ka deklaruar se mirëpresin vendimin e GJND-së që të ndalojë agresionin e tij kundër popullit palestinez.

"Ne mirëpresim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kërkon që entiteti brutal sionist të ndalojë agresionin e tij kundër popullit tonë në qytetin Rafah",- tha zëdhënësi i Hamasit.

Ndërkohë, në kahun tjetër lideri i opozitës izraelite Yair Lapid thotë operacioni ushtarak i ndërmarrë në Rafah ka të bëjë me lirimin e pengjeve izraelite dhe kjo gjë nuk është marrë parasysh nga GJND-ja, ndërsa shtoi se kjo është e drejta e Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorit të Hamasit.

"Fakti që GJND-ja as që e lidhi drejtpërdrejt përfundimin e operacionit ushtarak në Rafah me lirimin e pengjeve dhe me të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër terrorit është një dështim i tmerrshëm moral",- tha lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid.

Ai thotë se Izraeli u sulmua brutalisht nga Gaza dhe u detyrua të mbrohej kundër Hamasit, duke shtuar: "Nuk ka asnjë vend në botë që nuk do të mbrohej nga një sulm i tillë".

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese