
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, bashkë me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe kryeministrin polak — të cilët ndodhen të gjithë aktualisht në Tiranë — ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin Donald Trump.
Kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak ka publikuar në rrjetin Telegram një fotografi “kokë më kokë”, ku shihen liderët europianë dhe Zelensky teksa janë afruar pranë celularit dhe bisedojnë me Donald Trump.
“Presidenti Zelensky, Presidenti Macron, Kancelari gjerman Merz, Kryeministri Starmer dhe Kryeministri Tusk zhvilluan një telefonatë me Donald Trump. Detajet do të ndahen së shpejti”, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas në dijeni të takimit.
Ndërkohë, pak minuta më vonë ka reaguar dhe vetë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili ka zbuluar se çfarë ka folur me Shtëpinë e Bardhë, teksa ndodhet në Tiranë dhe po merr pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian.

“Fola me presidentin Donald Trump së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, Kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam takimin në Stamboll. Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë.
Qëndrimi ynë - nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati të përfundojë luftën. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, shkruan Zelensky.
Ndërkohë që takimi në Tiranë vazhdon Samiti Europian, delegacionet ukrainase dhe ruse po zhvillojnë gjithashtu bisedime sot në Stamboll.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, përparësia kryesore për palën ukrainase në negociata është një armëpushim i plotë, pa kushte dhe i qëndrueshëm, i cili do të shërbente si një tregues i gatishmërisë së Rusisë për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive.
