Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar fletëarrestime ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderëve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli dhe Hamasi, e dënuan njoftimin e prokurorit Karim Khan, i cili ka bërë përgjegjës zyrtarët e lartë të qeverisë izraelite dhe liderët e Hamasit krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.
Njoftimi i GJNP-së për fletëarrestimet nuk është pritur mirë as nga liderët botërorë, të cilët e kanë kritikuar vendimin e tyre.
Presidenti i SHBA, Joe Biden reagoi duke e cilësuar skandaloze kërkesën e kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).
"Kërkesa e prokurorit të ICC-së për urdhër-arrest kundër udhëheqësve izraelitë është skandaloze. Dhe më lejoni të jem i qartë: çfarëdo që mund të nënkuptojë ky prokuror, nuk ka asnjë ekuivalencë asnjë midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij" - thuhet në reagimin e Biden.
Senatori amerikan nga Partia Republikane, Jim Risch, tha se nuk ka arsye për hetimin e zyrtarëve izraelitë, pasi ata nuk janë pjesë e Statutit të Romës dhe se Izraeli ka një gjyqësor funksional
“Nuk ka arsye që gjykata të hetojë Izraelin, pasi nuk është pjesë e Statutit të Romës dhe Izraeli ka një gjyqësor krejtësisht funksional”,- tha Eisch, që është pjesë e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan.
Mbretëria e Bashkuar është shprehur kundër një kërkese të tillë të Khanit, duke argunmentuar se nuk ndihmon në arritjen e një marrëveshje paqeje në këtë rajon.
“Ky veprim nuk ndihmon sa i përket arritjes së një pauze në luftime, lirimin e pengjeve apo dërgimin e ndihmës” në Gazë, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik, Rishi Sunak.
Kundër lëshimit të fletarrestimeve është shprehur edhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, i cili e konsideron të papranueshme propozimin e kryeprokurorit të GJNP-së.
“Propozimi i kryeprokurorit të GJNP-së që të lëshojë fletarrestime për përfaqësuesit e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe liderët e një organizate terroriste islamike është krejtësisht i papranueshëm”, tha Fiala.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se respekton plotësisht pavarësinë e GJNP-së, por nuk është e drejtë që zyrtarët e lartë të qeverisë izraelite të vendosen në një peshore me organizatën terroriste të Hamasit/
“Megjithatë, fakti që lideri i organizatës terroriste Hamas, i cili ka deklaruar se qëllimi i grupit është të shfarosë shtetin e Izraelit, përmendet në të njëjtën fjali me përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike të po këtij shteti është e pakuptueshme”, tha ai.
Reagim për këtë zhvillim ka pasur edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.
Kjo organizatë tha se viktimat e shkeljeve serioze në Izrael dhe në territoret palestineze nuk kanë pasur drejtësi për dekada.
“Ky veprim i prokurorit hap derën që ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera muajve të fundit të përballen për veprimet e tyre në një gjykim të drejtë”, tha HRW, duke shtuar se shtetet anëtare të GJNP-së duhet të respektojnë pavarësinë e gjykatës.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Sipas zyrtarëve të Hamasit, lufta izraelite ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra.
Gjithashtu, kjo luftë ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.