FBI ka nisur një hetim pas shembjes së urës në Baltimore, në lindje të Shteteve të Bashkuara, në të cilën u përplas një anije me kontejnerë. FBI ka konfirmuar se ishte në bordin e anijes Dali për të kryer “operacione policore mjeko-ligjore”, pas nisjes së një hetimi.
Në fund të marsit, kjo anije me kontejnerë 300 metra e gjatë goditi urën Francis Scott Key në Baltimore në bregun lindor të SHBA, duke shkaktuar shembjen e saj. Janë nxjerrë trupat e dy punëtorëve që po punonin në urë për mirëmbajtjen e rrugës, ndërsa katër persona të tjerë që mbeten të zhdukur mendohet se kanë vdekur.
Gazeta amerikane tha se ky “hetim penal” synon të përcaktojë nëse ekuipazhi u nis duke ditur se anija kishte probleme serioze mekanike, sipas dy zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Dali me flamur të Singaporit kishte lundruar nga porti i Baltimores në një udhëtim 27-ditor në portin e Colombo (Sri Lanka).
Pasi njoftoi autoritetet për një humbje të fuqisë për shkak të problemeve, anija goditi urën. Anija mbetet e bllokuar në vend, nën rrënojat e urës, duke bllokuar një pjesë të transportit detar në një nga portet më të ngarkuara të vendit.