
Trembëdhjetë persona, shumica gra dhe fëmijë, humbën jetën gjatë natës në Rripin e Gazës pas sulmeve ajrore izraelite, sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë.
Dy prej sulmeve goditën tenda në qytetin jugor Khan Younis, duke shkaktuar vdekjen e dy fëmijëve dhe prindërve të tyre në secilën tendë. Ndërkohë, pesë persona të tjerë u vranë në sulme të ndara në zona të tjera të Gazës.
Ushtria izraelite deklaron se synon vetëm militantët dhe përpiqet të shmangë viktimat civile, ndërsa fajëson Hamasin për rrezikimin e popullatës, duke thënë se militantët veprojnë në zona me popullsi të dendur.
Izraeli ka mbyllur plotësisht Rripin e Gazës për më shumë se tre javë, duke ndaluar importin e ushqimeve, ilaçeve dhe ndihmave emergjente. Kjo lëvizje cilësohet nga autoritetet izraelite si një taktikë presioni për të detyruar Hamasin të lirojë pengjet e mbajtura.
Ushtria izrealite rifilloi ofensivën e tij në muajin mars, duke thyer një armëpushim të mëparshëm që kishte mundësuar lirimin e mbi 30 pengjeve.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare paralajmërojnë për një krizë të thellë humanitare. Furnizimet me ushqime dhe ujë po shterojnë, ndërsa uria është përhapur gjerësisht në Gaza.
Fëmijët që mbanin shishe bosh vrapuan pas një cisterne uji në një zonë të shkatërruar të Gazës veriore të dielën. Banorët e kampit të refugjatëve Shati thanë se uji ishte sjellë nga një organizatë bamirëse nga vende të tjera në Gaza. Pa të, ata mbështeten në puse që janë të kripura dhe shpesh të ndotura.