
Të paktën 33 persona kanë humbur jetën dhe mbi 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi ajrorë të SHBA ndaj rebelëve Houthi në Jemen. Objektivi kryesor i sulmeve ishte porti i naftës Ras Isa, një nyje strategjike që përdorej, për financimin e aktiviteteve të grupit rebel.
Në një deklaratë zyrtare, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tha se operacioni kishte për synim “të ndërpriste burimet e të ardhurave të paligjshme që Houthit përdorin për të financuar fushatat e tyre terroriste në rajon, të cilat kanë zgjatur më shumë se 10 vjet”.
“Kjo goditje nuk kishte për qëllim të dëmtonte popullin e Jemenit, i cili me të drejtë dëshiron të heqë nga zgjedha e nënshtrimit Houthi dhe të jetojë në paqe”,theksoi ai. Por ai nuk pranoi që kishte viktima.
Ndërkohë, kanali satelitor i Houthit, al-Masirah, publikoi pamje tronditëse të pasojave të sulmit, ku shihen kufoma të shpërndara në zonë. Sipas raportimeve të tyre, mes viktimave ka punonjës të ndihmës mjekësore si dhe civilë që ndodheshin në port në momentin e shpërthimit.