Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se Izraeli do të paguajë për sulmet në Gaza. Në një lidhje telefonike, ku zhvilloi një bisedë diplomatike me Presidentin e Palestinës Mahmoud Abbas, ai bëri të ditur se Turqia do të bëjë gjithcka që Izraeli të paguajë për “zullumin” në Gaza. Ndërsa i siguroi homologut të tij, se po merren të gjitha masat e nevojshme për mobilizimin e mjeteve për të arritur një armëpushim në Gaza.
Sipas Drejtorit të Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, presidenti Erdoğan u shpreh:
“Izraeli do të paguajë çmimin për zullumin. Duhet të mobilizohen të gjitha mjetet për një armëpushim në Gaza, duke përfshirë zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Kujtojmë që më herët, një ekip i transmetuesit publik turk TRT Arabisht në Gaza u vendos në qendër të sulmeve Izraelite, gjatë kohës që po përgatitej për transmetim në kampin Nuseirat që ndodhet në mes të Rripit të Gazës. Gjatë këtij sulmi mbeti i plagosur rëndë kameramani i televizionit ndërsa për gazetarin e pranishëm thuhet se ka shpëtuar pa lëndime të mëdha.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës që pas sulmit të Hamasit në tetor ndaj shtetit izraelit. Gjatë kësaj kohe të paktën 33.600 palestinezë kanë mbetur të vrarë, mes tyre gra dhe fëmijë, e ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.
Gjithashtu, Izraeli është paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se po kryen gjenocid në Gaza, pasi sulmet e tyre kanë vrarë edhe civilët si dhe punonjësit ndërkombëtarë të ndihmave.