
Një tjetër politikan është ekzekutuar në Ekuador, duke thelluar më shumë krizën e sigurisë në këtë shtet të Amerikës Latine. Kryebashkiaku i Arenillas, Eber Ponce Rosero, është vrarë në Ekuador pas një atentati të ndodhur të dielën pasdite, rreth orës 16:30. Ponce Rosero po udhëtonte me automjetin e tij së bashku me djalin e tij të mitur drejt juglindjes së vendit kur ai u qëllua me pesë plumba, ndërsa i mituri mbeti i plagosur, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.
Sipas autoriteteve, autori i atentatit ende nuk është identifikuar, dhe hetimet janë në zhvillim e sipër. Kjo ngjarje vjen pas një periudhe të përgjakshme që po kalon Ekuadori, ku politikanët shpesh janë bërë shënjestër e grupeve kriminale. Trafiku i drogës dhe lufta për kontrollin e rrugëve dhe burgjeve mes bandave lokale janë bërë një problem i madh.
Vrasja e Ponce Rosero është vetëm një nga një seri atentatesh ndaj figurave politike në vend. Në gusht 2023, kandidati për president, Fernando Villavicencio u ekzekutua gjithashtu. Kjo ngjarje përshkallëzoi dhunën në radhët e politikës ekuadoriane, duke lënë vendin të përfshirë nga një zinxhirë vrasjesh të motivuara nga konflikte kriminale.